Përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit, rrugët që do të bllokohen që pasditen e të dielës
Teksa vijojnë përgatitjet për pritjen e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, për të siguruar mbarëvajtjen e tij, Policia ka nisur me marrjen e masave që prej të dielës (15 tetor).
Policia e Shtetit ka bërë me dije se perimetri i sigurisë nis nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Ura e Dajtit deri tek Sheshi Nënë Tereza.
Janë një sërë aksesh rrugore në kryeqytet ku, prej orës 20:00 të pasdites së sotme e deri në përfundim të Samitit, do të ndalohet qarkullimi dhe qëndrimi i automjeteve dhe lëvizja e qytetarëve.
Do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë. Policia e Shtetit njoftoi se janë 1604 efektivë të angazhuar për mbarëvajtjen e Samitit.
31 lider të bashkimit evropian, 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të mbërrijnë në Tiranë, për Samitin e Ballkanit Perëndimor, nisëm që ka marrë udhë që prej 2014-së si iniciativë e Kancelares gjermane Anxhela Merkel (o. Angela).
Rrugët që do të bllokohen:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;
-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;
-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;
-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;
-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
-Rruga “Ukraina e lirë”.