Përkujtimi i “21 Janarit” – Ulsi Manja: Drejtësia nuk është çështje dëshire magjistratësh, por është detyrë për tu përmbushur
Është zhvilluar sot në ambientet e kryeministrisë ceremonia përkujtimore e “21 Janarit” ku mbetën të vrarë 4 protestues, për të cilët ende nuk është vënë drejtësi.Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se PS nuk është ndaluar për asnjë çast për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
“ Fakti që sot pas 13 vitesh drejtësia për 21 janarin si krim shtetëror është ende në ajër tregon qartë se brenda sistemit të drejtësisë ka magjistratë me certifikatë Vetingu të paaftë profesionalisht që punojnë akoma me mentalitetin e vjetër të mbylljes së dosjeve me procedurë apo skadim të afateve të procedimit se kanë frikë të përballen me hetimin e dosjeve të rëndësishme.
Dosje që jo pak raste janë paguar me kosto jetë njerëzish të pafajshëm si në rastin e katër dëshmorëve të atdheut Aleksit, Ziverit, Hekuranit dhe Faikut dhe shumë ngjarje të tjera të rënda që ende presin nga drejtësia”, tha ministri i Drejtësisë.
Gjithashtu ministri i Drejtësisë u shpreh se drejtësia është detyrë për tu përmbushur dhe jo dëshirë e magjistratëve.
“Drejtësia nuk mund të jetë çështje dëshire magjistratësh të caktuar brenda sistemit por është detyrë për tu përmbushur nga çdo magjistrat qofshin këto prokuror apo gjyqtar dhe këtë e thotë Kushtetuta dhe ligjet e reja të reformës në drejtësi”, tha Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.