Përkujtohet 35- vjetori i 14 janarit 1990 – Demonstrata e heshtur që mposhti frikën dhe ndezi revoltën antikomuniste.

U përkujtua në Shkodër 35-vjetori i demonstratës së heshtur antikomuniste të 14 janarit 1990, që shënoi tentativën për rrëzimin e bustit të Stalinit në qendër të qytetit.
Ngjarje kjo që i parapriu zhvillimeve te mëtejshme demokratike në Shqipëri, duke kontribuar në rrëzimin e regjimit komunist.
Protagonistët e 14 janarit 1990, në ceremoninë përkujtimore, ndanë kujtimet e tyre dhe theksuan rëndësinë e kësaj dite, duke e cilësuar si momentin që mposhti frikën dhe ndezi revoltën kundër shtypjes komuniste.
Demonstrata e heshtur e 14 janarit 1990, e mbështetur nga mijëra banorë të Shkodrës, u pasua me arrestimin e dhjetëra personave që u cilësuan si organizatorë.
Në aktivitetin përkujtimor ishin të pranishëm edhe drejtues të Partisë Demokratike në Shkodër, deputetë të opozitës dhe personalitete të tjera. 35- vjetorin e lëvizjes antokomuniste të 14 janarit e ka përkujtuar përmes një statusi edhe kryebashkiaku I Shkodrës, Benet Beci, i cili e quan: një ditë historike, kur të rinjtë shkodranë ngritën zërin kundër sistemit diktatorial.