Përkujtohet 80-vjetori i çlirimit, lufta më gjithëpërfshirëse në historinë e Shqipërisë
Shqipëria përkujton sot 80-vjetorin e çlirimit të vendit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.
Pas Çlirimit të Tiranës më 17 Nëntor 1944, komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare në Tiranë, do të njoftonte zyrtarisht dhe çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Kjo datë, u skalit edhe si data e çlirimit të Shqipërisë.
Në këtë mënyrë do të mbyllej njëherë e gjithmonë lufta epike Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar.
Disa nga rëndësitë thelbësore të kësaj lufte, ishin largimi i pushtuesve italianë dhe gjermanë, shkëputja e Shqipërisë nga blloku nazifashist dhe ripohimi i integritetit territorial të vendit, i cili prej kohësh ishte parë si objekt copëtimi nga Fuqitë e Mëdha dhe vendet fqinje.
Një ndër veçantitë e çlirimit ishte se Shqipëria është vendi i parë në Ballkan i çliruar me forcat e veta dhe pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe.
Gjithashtu, kjo luftë ishte lufta më gjithëpërfshirëse në historinë e popullit shqiptar, si sa i përket numrit të njerëzve që morën pjesë dhe e mbështetën atë dhe si sa i përket gjithëpërfshirjes territoriale të Shqipërisë.
Nga jugu në veri, thuajse të gjitha krahinat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë u mobilizuan duke dhënë mbështetjen e tyre në luftën kundër fuqive pushtuese.
Në këtë mënyrë Shqipëria u bë pjesë e koalicionit euroatlantik antifashist, pjesë e të cilit është edhe sot si vend anëtar i NATO-s.