Përkujtohet At Shtjefën Gjeçovi, kolosi i fesë dhe atdheut
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot At Shtjefën Gjeçovin, në ditën e tij të lindjes, 12 korrik 1874.
Ai lindi në Janjevë të Kosovës, 150 vjet më parë.
Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896, u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.
Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore, etj.
Mbi të gjitha, ai do të mbahet mend për punën e jashtëzakonshme që bëri në vitet 1910-1925 për botimin e librit “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunit ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”.
Paralelisht me punën si meshtar, ai mblodhi traditat e Shqipërisë Veriore, rrafshit të Mirditës dhe Alpeve shqiptare, poezinë popullore të malësive, zakonet e së drejtës popullore dhe lëndë etnografike. Po ashtu, ka qenë i pari folklorist shqiptar që ndërmori punë kërkimore në terren sipas kritereve metodologjike të kohës.
Atë Gjeçovin e vranë shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit, ku shërbente si famullitar.