Përkujtohet kolosi i letrave shqipe, Pashko Gjeçi
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujton sot një nga kolosët e letrave shqipe, përkthyesin e talentuar që solli në shqip Komedinë Hyjnore të Dante Aligierit, Faustin e Gëtes, Odisenë e Homerit, etj. poetin dhe mësuesin, Pashko Gjeçi (7 shtator 1918 – 21 janar 2010).
Pashko Gjeçi lindi në vitin 1918 në qytetin e Shkodrës. Ai studioi në Kolegjin e Jezuitëve, të cilin nuk arriti ta mbaronte pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare. Pas mbarimit të gjimnazit në Shkodër me rezultate shumë të mira, në vitin 1938, Pashko fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta në Itali. Në vitin 1943 përfundoi Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Romë me rezultate të larta me tezën e diplomës të titulluar “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”.
I grishur për të punuar si asistent-pedagog Pashku dhe i nxitur nga Ernest Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, kthehet po atë vit. Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës . Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas u transferua në qytetin e Durrësit. Këtu e arrestuan si të implikuar në një organizatë e cila kishte për qëllim të përmbyste me dhunë pushtetin komunist në Shqipëri.
Gjyqi do ta dënonte me pesë vjet burg të cilat i bëri kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit ku e dërguan muajt e verës. Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Aty ai vendosi që të përkthejë poetin e famshëm italian Dante Aligerin. Nga 1968 gjer më 1972 jep latinisht në Fakultetin e Mjekësisë. Punon pranë shtëpisë së librit shkollor si korrektor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 do të botohet “Odisea”, një tjetër përkthim i tij. Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000, kryeveprat e përkthyera nga ai në shqip ribotohen por edhe shohin për të parën herë dritën e botimit. Komedia Hyjnore dhe Odisea ribotohen më 2006, Fausti (pj.1) më 2008, “Andromaka” dhe “Atalia” e Rasinit më 2010.
Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Gjeçi u dekorua nga Presidenti italian Çampi më 2004 me “Urdhërin e yllit të solidaritetit italian” për përkthimin e Dantes . Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa I) të Gëtes. Pashko Gjeçi ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare.