Përkujtohet një nga figurat më të fuqishme shqiptare të fillim shekullit XX, ati françeskan Gjergj Fishta

929c7a022120d9daea5f2dadc8030bf9 XL
Më 23 tetor 1871, lindi Homeri i letrave shqipe, Atë Gjergj Fishta.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e kujton sot këtë kolos të letrave shqipe, duke e krahasuar veprën e tij me “Iliadën” e autorit helen, por edhe me stilin e Dantes dhe të Gëtes, për nga pleksjet e mitologjisë me realitetin, mendimi filozofik dhe dramaciteti.
Atë Gjergj Fishta i mori mësimet e para në seminarin françeskan të Shkodrës. Studimet e mëtejshme i ndoqi në Bosnje, në disiplinat e filozofisë dhe të teologjisë. Fishta qe drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Në drejtimin e tij, u mundësua që shqipja të përdorej në katedër si gjuhë mësimi. Si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në cilësinë e kryetarit, drejtoi veprimtarinë e Komisionit të Alfabetit.
Në vitin 1913, themeloi revistën letrare-kulturore “Hylli i Dritës”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkëthemeloi me Luigj Gurakuqin Komisinë letrare, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Gjatë vitit 1920 u caktua Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Po atë vit, u zgjodh deputet i Shkodrës. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924.
Për kontributin e dhënë në lëmin e edukimit, të letërsisë dhe të fesë, Fishta mori dekoratën “Foenix” (1931), si edhe u bë anëtar të Akademisë italiane (1939). Vepra që përjetësoi figurën e tij si krijues është epika “Lahuta e Malcis”, së cilës i kushtoi 40 vjet punë.
Atë Gjergj Fishta ndërroi jetë në vendlindje, në Shkodër, më 30 dhjetor 1940. Bashkëngjitur, një foto e Fishtës mes personaliteteve të kohës, dokumenti i njoftimit të Qeverisë së Përkohshme për emërimin e tij si delegat në Konferencën e Paqes në Paris dhe fragmente nga kryevepra “Lahuta e Malcis”.
At’ Gjergj Fishta
1 nga 5




