Përkujtohet Teodor Keko – Mbrëmje poetike kushtuar shkrimtarit
Nën tingujt e pianos, kujtimet e miqve, dhe poezive të tij, është përkujtuar poeti, tregimtari dhe gazetar i njohur Teodor Keko. Mbrëmja përkujtimore është zhvilluar në shtëpinë studio Kadare dhe me pjesëmarrjen e bashkëshortes së shkrimtarit Xhuli Keko. Vargjet e bukura të Teodor Kekos kanë ardhur nën interpretimin e miqve dhe disa të rinjve.
“Dori ishte një njeri që e pëlqente jetën, e pëlqente të bukurën, pëlqente miqësitë. Nuk pretendoj që të gjitha poezitë janë për mua se do te ishte një gënjeshtër e madhe. Poezia e Xhulit prapa ka një background. Tori një ditë ishte vonuar shumë në shtëpi dhe unë isha shumë e mërzitur dhe në mëngjes Dori doli herët kur u zgjova gjeta këtë poezinë”, tha bashkëshortja së shkrimtarit Xhuli Keko.
Teodor Keko është shquar për antikonformizmin e tij, mjeshtërinë dhe thjeshtësinë në rrëfim në prozën e shkurtër. Ai i filloi publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme si, poezi, dramë, novelë si dhe tregimeve të shkurtra. Keko u nda nga jeta ne vitin 2002 ne moshën 44 vjeçare.