Përmbyset kamioni i pastrimit – Aksidenti ndodhi pranë fshatit Mabë, 1 km larg landfillit të Bushatit
Për afro 4 orë, njëri sens kalimi pranë fshatit Mabë u bllokua, duke sjellë trafik të rënduar në rrugë.
Shkak për bllokimin e rrugës u bë një kamion pastrami, shoferi i të cilit humbi kontrollin dhe u përmbys në aksin Shkodër-Lezhë.
Kamioni po vinte nga Laçi i Kurbinit për të depozituar mbeturinat në landfillin e Bushatit, kur është përmbysur 1 km pa mbërritur në landfill.
Nga aksidenti mbeti i plagosur drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë, i cili u dërgua me urgjence për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lezhës, ku fatmirësisht ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.
Për zhvendosjen e kamionit dhe largimin e mbeturinave nga rruga u deshën më shumë se dy orë punë, ku u angazhuan dhe shërbimi zjarrfikës i Lezhës.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit ka deklaruar se tentoi të shmang një mjet që po i vinte përballë, duke bërë që të humb kontrollin dhe të përmbyset në anë të rrugës.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton shkaqet e këtij aksidenti, nga i cili është krijuar dhe trafik i rënduar.