Përmbyten rrugët e stacionet e metrove, Nju-Jorku shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në qytetin e Nju-Jorkut pasi stuhitë e forta sjellin përmbytje të shpejta.
Shumë prej sistemeve të metrosë, rrugëve dhe autostradave të qytetit janë përmbytur, ndërsa të paktën një terminal në aeroportin LaGuardia u mbyll të premten. Deri në 20 cm shi ra në disa pjesë të qytetit.
“Kjo është një stuhi e rrezikshme, kërcënuese për jetën“, tha guvernatori Kethi Hokull (o. Kathy Hochul).
“Unë po shpall një gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë qytetin e Nju-Jorkut, Long Island dhe Luginën Hadson për shkak të reshjeve ekstreme që po shohim në të gjithë rajonin,” tha guvernatorja e Nju-Jorkut.
Ajo u bëri thirrje njerëzve të ndërmarrin hapa për të qëndruar të sigurt. Fatmirësisht nuk është raportuar për viktima apo lëndime kritike.
Një gjendje e jashtëzakonshme u shpall gjithashtu në qytetin Hoboken të Nju-Xhersit.
Në qytetin e Nju-Jorkut, kryebashkiaku Erik Adams (o. Eric), paralajmëroi njerëzit se ishte koha për “vigjilencë të shtuar dhe kujdes ekstrem” pasi u vendos gjendja e jashtëzakonshme.
“Disa nga metrotë tona janë të përmbytura dhe është jashtëzakonisht e vështirë të lëvizësh nëpër qytet“, tha ai në një konferencë për shtyp.
Përmbytjet shkaktuan ndërprerje të mëdha në sistemin e metrosë së Nju-Jorkut dhe në shërbimin hekurudhor të Metro North, sipas Agjencisë së Transportit Metropolitan. Disa linja metroje u pezulluan plotësisht dhe shumë stacione u mbyllën./ BBC