Përmbytjet tragjike në Bosnje-Hercegovinë, studentët në protestë, kërkojnë hetime për përgjegjësit
![Hercegovinë, studentët në protestë](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2025/02/Hercegovine-studentet-ne-proteste.jpg?fit=640%2C426&ssl=1)
Më shumë se katër muaj pas përmbytjeve katastrofike që lanë 27 të vdekur në Bosnjë-Hercegovinë, studentët kanë organizuar protesta para Asamblesë Parlamentare, duke kërkuar hetim urgjent dhe përgjegjësi për tragjedinë.
Ata janë të pakënaqur me situatën në zonat e goditura, sidomos në Jabllanicë, Konjiq dhe Fojnica, ku banorët kanë vuajtur pas përmbytjeve.
Studentët kërkojnë që autoritetet të ngrenë aktakuza ndaj përgjegjësve për përmbytjet, duke përfshirë edhe një gurore të palicensuar në Jabllanicë, të cilën e lidhin me pasojat fatale të katastrofës.
Studentët kanë bërë thirrje për mbështetje nga të gjithë ata që janë të regjistruar si studentë në vitin akademik 2024/2025, dhe kanë premtuar se do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e të prekurve deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Ne distancohemi paraprakisht nga të gjitha institucionet, partitë politike, organizatat studentore, shoqatat dhe të gjithë personat që përfaqësojnë dikë. Ne nuk flasim në emër të askujt, por në emër tonë dhe kushti i vetëm për të bashkëpunuar me ne është që të jeni student dhe të jeni të regjistruar në vitin akademik 2024/2025, në cilindo fakultet në Bosnje-Hercegovinë”, thuhej në njoftimin e studentëve.
Po ashtu, Zyra e Prokurorit të Kantonit të Mostarit ka nisur një hetim mbi përgjegjësinë penale dhe pritet që një ekspert gjeologjik të dorëzojë gjetjet e tij deri në fund të shkurtit, që mund të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve.