Përmirësimi i shërbimit shëndetësor parësor, qeveria shqiptare marrëveshje bashkëpunimi me atë zvicerane
Qeveria shqiptare ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi 3-vjeçare me atë zvicerane për përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se kjo marrëveshje do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm, ndërsa theksoi se synohet rritja e bashkëpunimit dhe shërbimit shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë.
“Marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë së Konfederatës zvicerane 3-vjeçare. Kjo marrëveshje do ketë impakt të jashtëzakonshëm në përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor.
Synojmë që nëpërmjet projektit HAP Shëndet për të Gjithë që do përfundojë në 2027, qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë do kenë mundësi të përfitojnë nga protokolle pune dhe standarte të miratuara tashmë dhe që shërbejnë për të ngritur në një më lartë bashkëpunimi dhe shërbimi shëndetësor në të gjithë qendrat shëndetësore në vend.
Falë fazës së parë kemi mundësuar plot 31 qendra shëndetësore të cilat ofrojnë shërbim në banesë për të pamundurit, invalidët apo të moshuarit. Përmes kësaj marrëveshje do vijojmë të shtrijmë këtë shërbim shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore.
Do përfitojmë dhe nga protokolle të dedikuara për kujdes të thelluar në shërbime të shëndetit mendor të cilat do krijojnë hapësira të posaçme në të gjithë qendrat shëndetësore duke trajnuar dhe kualifikuar mjekët e familjes, infermierët për të ofruar shërbime të specializuara për të gjithë ata që kanë nevojë për trajtim të çrregullimeve të shëndetit mendor”, tha Koçiu.