Përmirësohet situata me motin, energjinë dhe rrugët në Shkodër e Lezhë
Kushtet e rënduara të motit dhe shirat e vazhdueshëm që përshkuan Shqipërinë gjatë fundjavës nuk kanë krijuar probleme për 5 bashkitë e qarkut verior të Shkodrës.
OSHEE informoi se nuk ka defekte të raportuara për momentin.
Nga Autoriteti Verior Rrugor gjithashtu u njoftua se akset mbeten të hapura, ndërsa sistemet e kullimit dhe mbrojtjes janë brenda limiteve, sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit. Nivelet e lumenjve janë në kuota të ulëta dhe nuk paraqesin vështirësi për argjinaturat.
Kruja dhe Kurbini po ashtu nuk raportojnë probleme nga reshjet.
Përmirësohen kushtet nga moti i keq në Lezhë
Me ndërprerjen e reshjeve të shiut, uji është tërhequr nga zonat e Lezhës, ku gjendja ishte vështirësuar një ditë më parë.
Megjithatë lundrimi detar në Shëngjin vijon të jetë i pezulluar për shkak të detit të trazuar me dallgëzim deri në 7 ballë.
Po ashtu probleme vijon të ketë edhe me furnizimin me energji elektrike, pasi shtrëngatat e shiut kanë dëmtuar linjat kryesisht në fshatra.
Grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve me qëllim rikthimin e energjisë në zonat ku mungon.
Sipas të dhënave zyrtare të mbrojtjes civile përgjatë 24 orëve kanë rënë 74 mm shi, por që prej orëve të mbrëmjes të së shtunës intensiteti është prirë drejt rënies.