Përpjekje diplomatike për të parandaluar përhapjen e krizës në Lindjen e Mesme
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet diplomatike në përgjigje të krizës që shpërtheu pas sulmit të Hamasit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje intensive për të siguruar lirimin e pengjeve që ka marrë Hamasi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Sekretari Blinken po kryen bisedime në rajon me qëllim parandalimin e zgjerimit të konfliktit me vende të tjera.
Presidenti Joe Biden e quajti krizën humanitare në Gaza një përparësi ndërsa mbajti një fjalim mbi ekonominë në Filadelfia.
“Ne nuk mund të harrojmë faktin se shumica dërrmuese e palestinezëve nuk kishte të bënte me sulmet e tmerrshme të Hamasit dhe si rezultat edhe ata po vuajnë ”, tha Presidenti Biden.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha të premten se kushtet në Gaza janë përkeqësuar tej mase.
“Të zhvendosësh më shumë se 1 milion njerëz nëpër një zonë lufte me popullsi të dendur në një vend pa ushqim, ujë apo strehim, kur i gjithë territori është nën rrethim, është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe, në disa raste, thjesht e pamundur”, tha shefi i OKB-së, Guterres.
Të premten në Izrael, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin demonstroi solidaritetin amerikan me Izraelin pas sulmeve brutale të javës së kaluar nga militantët e Hamasit që e shtynë Izraelin t’i shpallte luftë organizatës që Uashingtoni e cilëson si terroriste. Rreth 3,100 njerëz kanë vdekur në Izrael dhe Gaza.
“Terroristët si Hamasi vënë me qëllim në shënjestër civilët, por demokracitë nuk e bëjnë këtë. Kjo kohë kërkon vendosmëri, jo hakmarrje dhe panik. Tani është koha për siguri dhe për të mos u dorëzuar”, tha Sekretari Austin.
Pas vizitës së tij në Izrael të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me Mbretin e Jordanisë Abdullah dhe presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Aman të premten, përpara se të shkonte në Katar. Ai u pyet nëse ishte i shqetësuar që Izraeli po hakmerrej kundër Hamasit në përmasat e tanishme emocionale, diçka për të cilën më vonë mund të pendohej.
“Ajo që Izraeli po bën nuk është hakmarrje. Izraeli po mbron jetët e popullit të tij dhe po merr masa të sigurohet që kjo të mos ndodhë më”, tha sekretari Blinken.
Zoti Blinken tha se SHBA po punon me organizatat ndërkombëtare dhe partnerët në rajon për të krijuar ato që ai i quajti “zona të sigurta” për civilët palestinezë. VOA