Përpjekjet për armëpushim, SHBA kundër operacionit izraelit në Rafah, paraqet draft-rezolutë në KS
Në një konferencë shtypi në Kajro, Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken tha se operacioni i madh ushtarak në Rafah i paralajmëruar nga Izraeli do të ishte i gabuar dhe Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë, një operacion i madh ushtarak në Rafah do të ishte një gabim. Ne nuk e mbështesim dhe nuk është i nevojshëm për t’u hakmarrë ndaj Hamasit. Ne do të kemi një mundësi javën e ardhshme për të ndarë në detaje këtë pikëpamje me homologët tanë izraelitë dhe për të paraqitur pikëpamjet tona se si ta trajtojmë problemin ndryshe” , tha Blinken.
Ndërkohë Sekretari Blinken mbërriti në Tel Aviv, ndalesa e fundit e një turi në Lindjen e Mesme, pas takimeve të zhvilluara në Arabinë Saudite dhe Egjipt. Blinken do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe kabinetin e luftës për të biseduar për një armëpushim në luftën në Gaza. Sot Shtetet e Bashkuara, që vazhdimisht kanë bllokuar thirrjet për armëpushim në Gaza, do të dorëzojnë një projekt- rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i cili bën thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm”. Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit, Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë vendosur veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar rezolutat e propozuara që bënin thirrje për armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.