Përplasje mes protestuesve dhe policisë në Argjentinë për reformat e Milei
Policia në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, hodhi gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit jashtë Kongresit, përpara se të jepnin miratimin për reformat e shkurtimit të buxhetit në Senatin e vendit të mërkurën.
Demonstruesit të cilët thonë se masat do të dëmtojnë miliona argjentinas hodhën bomba me benzinë dhe gurë.
Një numër njerëzish u raportuan të plagosur, me mediat lokale që e përshkruan skenën si një “fushë beteje”.
Paketa e reformës, e propozuar nga presidenti i krahut të djathtë, Javier Milei për të ringjallur ekonominë, përfshin shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ekonomike, uljen e pensioneve dhe zvogëlimin e të drejtave të punës.
Masat kundërshtohen nga partitë politike të majta, sindikatat dhe organizatat shoqërore.
Por mocioni, i cili fillimisht u barazua 36-36 në Senat, u miratua paraprakisht të mërkurën pasi kreu i dhomës, Zëvendëspresidentja Victoria Villarruel, prishi barazimin.
Projektligji me 328 artikuj tani do të shqyrtohet pikë për pikë përpara se të pritet miratimi i plotë.
Përpara miratimit të projektligjit në Senat, protestuesit brohorisnin: “Vendi nuk është në shitje, vendi mbrohet”, “si mundet një kryetar shteti ta urrejë shtetin?”
Përleshjet shpërthyen kur protestuesit u përpoqën të shkonin drejt Kongresit përmes gardheve, duke hedhur gurë mbi policinë.