“Përrallë nga e kaluara” në “Festival Lumière” në Lion
Për të dytin vit radhazi, kinematografia klasike shqiptare është prezantuar para publikut europian në festivalin prestigjioz ndërkombëtar të filmit, “Festival Lumière” në Lion, Francë.
Pas prezantimit të filmit të restauruar “Tana” në edicionin e vitit 2022, sivjet kuratorët kanë përzgjedhur filmin “Përrallë nga e kaluara” të regjisorit Dhimitër Anagnosti, i cili është shfaqur në versionin e tij të restauruar në seksionin “Thesare dhe kuriozitete”.
Filmi “Përrallë nga e kaluara” është pritur mjaft mirë nga publiku dhe kritika.
Ndërkohë puna e arkivit shtetëror të filmit me restaurimet e kinemasë klasike shqiptare vijon me filmin “Mësonjëtorja” i cili do të shfaqet premierë më 27 tetor në kinema “Millenium”.
Restaurimi i filmave dhe titrimi i tyre në gjuhë të huaja janë në fokus të punës së AQSHF-së prej disa vitesh tashmë, me qëllim prezantimin e kinematografisë klasike shqiptare në botë, njohjen dhe studimin e trashëgimisë kombëtare filmike.