Përurohet shkolla e rikonstruktuar, Beci: Investimi i parë i një standardi të ri, do zbatohet në çdo shkollë ku ndërhyhet
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka marrë pjesë sot në inagurimin e përfundimit të punimeve në rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Ismet Sali Bruçaj”. Ai ka parë nga afër ambientet e transformuara të kësaj shkolle në fshatin Guci e Re, në Njësinë Administrative Rrethina.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Beci u shpreh se ky investim është i pari i këtij standarti që do të ndërhyhet edhe në shkolla të tjera të bashkisë Shkodër, ndërkohë që deklaroi se tashmë ambientet e reja garantojnë kushte komode për nxënësit.
Shkolla 9-vjeçare “Ismet Sali Bruçaj” në fshatin Guci e Re, u përfshi në rikonstruksion të plotë në vjeshtën e vitit të kaluar, ndërkohë që këto ambjente janë transformuar tërësisht jo vetëm me pjesën e ndërtimin, por edhe me objektet shkollore të domosdoshme për nxënësit.