Peshëngritje, Shqipëria merr 3 medalje të argjendta
Vijon konkurrimi i Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, që po mbahet në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, dhe të premten pasdreke, Kristi Ramadani ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në Baterinë B të kategorisë së peshës trupore deri në 81 kg, duke u renditur i pari në stilin e shkëputjes, me 151 kg, i pari në stilin e shtytjes, me 190 kg, dhe i pari në dygarësh, me 341 kg. Këto rezultat e bënin atë optimist në pritje të Baterisë A të kësaj peshe, aty ku në mbrëmje ka garuar edhe sportisti tjetër kuqezi, Erkand Qerimaj. Ai dështoi në provën e parë me 152 kg, e ngriti në provën e dytë, ngriti me sukses 155 në provën e 3-të dhe e humbi medaljen e artë vetëm sepse italiani Rejes i kishte ngritur më parë 155 kg. Sidoqoftë, Qerimaj shpallet “nënkampion” i Evropës në stilin e shkëputjes, ndërsa Kristi Ramadani mbetet i 4-ti. Ndërkaq, ka qenë i pafat Erkand Qerimaj në stilin e shtytjes, teksa, pas vetëm një prove të suksesshme, mbetet i 6-ti me 180 kg, dhe i 4-ti më dygarësh me 335 kg. Mbyllet kështu konkurrimi në kategorinë e peshës trupore deri në 81 kg dhe, ndonëse garoi në baterinë B, Kristi Ramadani merr vendin e dytë dhe shpallet “nënkampion” i Evropës në stilin e shtytjes me 190 kg dhe po kështu i dyti dhe “nënkampion” i Evropës edhe në dygarësh, me 341 kg. Të dy sportistët i sjellin kështu Shqipërisë 3 medalje të argjendta, ndërsa janë edhe 4 peshëngritës të tjerë për të konkurruar në këtë Evropian të shtangës.