Peshkimi i paligjshëm, policia godet një tjetër rast në Liqenin e Shkodrës, procedohen 2 shtetas
Policia Kufitare ka goditur një tjetër rast të peshkimit të paligjshëm në liqenin e Shkodrës. Si rezultat i kontrolleve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në hapësirën liqenore, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të peshkimit me mjete të ndaluara, janë kapur në flagrancë në liqenin e Shkodrës, 2 shtetas që po peshkonin me pajisje që furnizohen me energji elektrike. Në vijim të veprimeve për këtë rast, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për dy shtetas një me banim në Malësi të Madhe dhe tjetri shtetas malazez për veprën penale “Peshkimi i ndaluar”. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet që shërbenin për peshkimin e paligjshëm, një mjet lundrues dhe një automjet. Edhe pak ditë më parë një 37- vjeçar u kap në flagrancë duke peshkuar në Liqenin e Shkodrës me pajisje që furnizohen me energji elektrike, dhe ndaj tij nisi procedim penal për veprën penale “Peshkim i Paligjshëm”