Peter Navarro, ish këshilltar i zotit Trump, paraqitet të kryejë dënimin me katër muaj burg

Ish këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, u paraqit në burg të martën për të kryer një dënim prej katër muajsh. Ai u gjet fajtor për shpërfillje të Kongresit, duke u bërë zyrtari i parë i lartë që shërbeu gjatë administratës së Presidentit Trump që burgoset për një krim që ka lidhje me trazirat e 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit amerikan.

Zoti Navarro u dënua me katër muaj burg për kundërshtimin e një fletëthirrje për të dëshmuar dhe dorëzuar dokumente para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi trazirat e vitit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.

Përpara se të dorëzohej në një burg federal në Majami, zoti Navarro tha për gazetarët se dënimi i tij “tregonte shfrytëzimin e sistemit gjyqësor për qëllime politike”.

Ai ka mbajtur qëndrimin se nuk mund të bashkëpunonte me komisionin pasi ish Presidenti Trump kishte imunitetin e degës ekzekutive. Por gjykatat e kanë hedhur poshtë këtë argument, duke thënë se zoti Navarro nuk mund ta provonte pretendimin e tij.

“Kur të paraqitem sot në atë burg, sistemi i sotëm i drejtësisë do t’i ketë bërë një goditje gjymtuese ndarjes kushtetuese të pushteteve dhe privilegjit të ekzekutivit”, tha zoti Navarro për gazetarët. Pas votimit në Florida të martën, zoti Trump u pyet për rastin e zotit Navarro.

“Ai është një njeri i mirë. Ai u trajtua shumë padrejtësisht”, tha zoti Trump, duke e quajtur atë një “patriot të madh” dhe vlerësuar punën e tij në negociatat tregtare me Kinën. “Administrata e Presidentit Biden e trajtoi atë shumë keq. Është e turpshme, por kështu është.”

Navarro, i cili shërbeu si këshilltar tregtar i Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin Trump, u thirr për të dëshmuar nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me nxitjen e pretendimeve të rreme për manipulime në votimet e vitit 2020 në prag të trazirave në ndërtesën e Kongresit.

Zoti Navarro kishte kërkuar të qëndronte jashtë burgut, ndërsa ai apelon dënimin për t’u dhënë gjykatave kohë për të shqyrtuar sfidën e tij. Por gjykata federale e apelit në Uashington e mohoi kërkesën e tij, duke thënë se apeli nuk kishte gjasa ta ndryshonte vendimin për dënimin e tij.

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, John Roberts, refuzoi të hënën që të përfshihej në çështje, duke thënë në një deklaratë me shkrim se ai nuk kishte “ baza për të mos u pajtuar” me gjykatën e apelit. Zoti Roberts tha se kjo nuk ndikon në rezultatin përfundimtar të apelit të zotit Navarro.

Zoti Navarro është ndihmësi i dytë i zotit Trump i dënuar për shpërfillje ndaj Kongresit. Ish këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, u dënua më parë me katër muaj burg, por një gjykatës tjetër e lejoi atë të qëndronte i lirë në pritje të vendimit të apelit.

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve zhvilloi hetime 18 mujore lidhur me trazirat në ndërtesën e Kongresit, duke intervistuar mbi 1 mijë dëshmitarë, zhvilluar 10 seanca dëgjimore dhe siguruar dokumente që tejkalojnë mbi 1 milion faqe.

Në raportin e tij përfundimtar, komisioni arriti në përfundimin se zoti Trump u përfshi në mënyrë kriminale në një “komplot shumëpjesësh” për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve dhe dështoi të vepronte për të ndaluar mbështetësit e tij që të sulmonin Kapitolin.

Prokurori i posaçëm Jack Smith ka ngritur akuza ndaj zotit Trump për komplot për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden. Kjo çështje është në pritje ndërsa Gjykata e Lartë peshon pretendimin e zotit Trump se gëzon imunitet nga ndjekja penale. Gjykata e Lartë ka në plan të dëgjojë argumentet për këtë çështje muajin e ardhshëm.

Sipas VOA

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.