Pezullimi i 11 punonjësve të Kadastrës së Lezhës, Gjykata kishte refuzuar që prona të konfiskohet dhe t’i kalojë shtetit
Sipërfaqja e tokës së tjetërsuar në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, për të cilën u dënuan me burg ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj dhe ish-zyrtar të tjerë lokal, nuk i është kthyer shtetit siç pretendon organi i akuzës, i cili pezulloi nga detyra 11 punonjës të Kadastrës së Lezhës, për mos zbatim të vendimit të gjykatës.
Gjykata e Lezhës e kishte rrëzuar kërkesën e prokurorisë që kjo pronë me sipërfaqe 234 548 katror të konfiskohet dhe kalimimin e saj në favor të shtetit, pasi gjatë gjykimit të kësaj çështje në themel organi i akuzës nuk e kishte kërkuar diçka të tillë.
Në vendimin për këtë çështje, thuhet se këto pasuri nuk ishin sekuestruar në cilësinë e provës materiale, por ndaj tyre ishte vendosur sekuestro preventive si masë sigurimi pasuror, e për rrjedhoje ato nuk mund të trajtohen sipas regjimit juridik sepse nuk kanë qenë të tilla gjatë gjykimit, por si masa sigurimi.
Në përfundim të gjykimit të themelit për këtë çështje, krahas dënimit të disa personave, gjykata ka deklaruar të falsifikuara dhe ka kërkuar asgjësimin e dokumentacioneve që janë përdorur për t’u regjistruar këto pasuri nga zyrtarët e dënuar, por jo kthimin e kësaj pasurie në pronë shtetërore, siç pretendon prokurori Erjon Shehaj. Ky i fundit ka nisur hetimet për punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, duke pezulluar nga detyra 11 punonjës.
Në zbatim të këtij vendimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Lezhë i kishte kërkuar prokurorisë që vendimi të plotësohej duke bere të mundur identifikimin e pasurive nga gjykata dhe duke i relatuar hollësisht se këto pasuri kishin pësuar transaksione me akte noteriale të ligjshme përpara noterit, për të cilat gjykata nuk ishte shprehur në vendim.