Pikturë në rrënojat e tërmetit/Artisti francez Sajp zbulon një pjesë nga punimi i tij në qytetin turk Antakja
Artisti francez Gijom Legro, që prezantohet me emrin e artit Sajp dhe i njohur në mbarë botën për punimet e tij në sipërfaqe shumë të mëdha në tokë, ka zbuluar një pjesë pikturës së tij mbi rrënojat në qytetin jugor turk Antakja, të shkatërruar nga tërmeti vdekjeprurës i shkurtit. Vepra e artit shtrihet në një sipërfaqe prej 1 mijë metrash katror rrënoja, në vendin ku ka qenë një bllok banesash, që u shembën nga tërmeti i 6 shkurtit, i cili i mori jetën më shumë se 55 mijë personave dhe la mijëra të pastrehë në Turqi dhe Siri.
“Jam shumë i lumtur të ndaj këtë punim dedikuar popullit të Hatajit” ka shkruar ai në faqen e tij zyrtare në X.
Artisti francez ka dhuntinë e jashtëzakonshme që të pikturojë në natyrë, në sipërfaqe shumë të mëdha, në bar apo zona të hapura.
Të gjitha veprat e Saype realizohen me materiale bio të dregradueshme, në respekt të plotë ndaj mjedisit me bojëra që nuk e dëmtojnë atë dhe me kalimin e kohës zhduken, duke propozuar kështu një metodë të re të interpretimit të artit të rrugës. Në lidhje me përmasat e pikturave të tij, artisti ka theksuar se dëshiron të tërheqë vëmendjen e njerëzve dhe të ndikojë në mentalitetin e tyre përmes veprave të tij të artit, por pa lënë gjurmë në natyrë.
Sajp është një artist autodidakt, që filloi të pikturonte në rrugë në moshën 14-vjeçare, ndërsa punimet e tij të para u ekspozuan në galeritë e artit kur ai ishte vetëm 16 vjeç. Piktura e parë e Saype në natyrë, “Dashuria” u krijua në vitin 2015 në Alpet Franceze, që në atë kohë ishte edhe vepra artistike më e madhe në botë pikturuar në bar.
Ndërsa në vitin 2018, ai u bashkua me OJQ-në SOS Mediterrane dhe krijoi pikturën “Mesazh për të ardhmen” pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë . Projekt i cili synonte të vlerësonte vullnetarët e kësaj organizate joqeveritare, që shpëtojnë emigrantët në det.