Pirdeni: Leja vjetore e punonjësve jo më 4 javë kalendarike, por 22 ditë pune
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar ndryshimet në Kodin e Punës ku është hequr kufizimi i marrjes së lejes vjetore jo më pak se një javë kalendarikë nga ana e punonjësve. Lajmin e bën të ditur Ministrja për Administratën Publike dhe Antikorrupsion, Adea Pirdeni pas mbledhjes së qeverisë.
Po ashtu ministrja theksoi se parimisht është përcaktuar që kohëzgjatja e pushimeve të jetë 22 ditë për të gjithë punonjësit.
“Ditën e premte 26 korrik, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin e Punës për të garantuar gjithashtu një element tjetër sensibël në mënyrën se si menaxhohet i gjithë procesi i akordimeve të pushimeve ku është hequr kufizimi i pushimeve, për të gjithë sektorin e punonjësve të administratës publike por edhe atë private.
Në ndryshimet e Kodit të Punës është hequr kufizimi sipas të cilës punonjësit nuk mund të merrnin leje vjetorë më pak se një javë kalendarike. Është përcaktuar parimisht që kohëzgjatja e pushimeve të jetë 22 ditë , ku janë shtuar 2 ditë pune, pushim për të gjithë punonjësit”, u shpreh Pirdeni.
Nga sqarimi i bërë nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se:
‘‘Leja vjetore u bë me ditë për t‘i dhënë kuptim qëllimit që nëse punëmarrësi kërkon dy ditë a tre ditë nga leja të ketë sens llogaritja kur leja është me ditë jo me javë. 4 javë kalendarike janë 28 ditë. 22 ditë punë janë pa llogaritur të shtunë, të diel ose nga e hëna në të premte. 22 plus 4 fundjava, të diela dhe të shtuna, domethënë 8 ditë, janë 30 dite. Me ndryshimet në Kodin e Punës, punonjësve u kemi shtuar 2 ditë”.
Qeveria ka miratuar gjithashtu ndryshimet që sjellin orare pune fleksibël për punonjësit e administratës. Pirdeni tha se administrata do të punojë 8 orë e 30 minuta nga e hëna në të enjten, dhe 6 orë të premten.
Ndërkohë, punonjësit mund të zgjedhin vetë orarin kur të paraqiten mjafton që nga ora 9:30 deri në 15:30, të jenë në punë. Ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.