Pjesëmarrje e ulët në votimet e veriut të Kosovës, Osmani: Serbia ndërhyri në zgjedhje
Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në komunat e veriut të Kosovës janë mbyllur ku përgjatë ditës së sotme nga ora 07:00 e mëngjesit u votua për pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shumë pak qytetarë kanë marrë pjesë në procesin e votimit në komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tha se deri në orë 15:00 votuan 203 persona në votimet për shkarkimin ose jo të kryetarëve komunalë.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, në Leposaviq kanë votuar 122 persona, në Zubin Potok 17, si dhe në Mitrovicë të Veriut 64 persona.
Për ta shkarkuar kryetarin duhen 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve të votojnë në favor të largimit të kryetarit. Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.
Për procesin e votimit ka reaguar edhe vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani shkruan se qytetarët nuk e shfrytëzuan këtë mundësi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale.
“Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë. Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin”, shkruan Osmani.
Osmani ka kërkuar Bashkimi Evropian heqjen e masave ndëshkuese që i janë vënë Kosovës.
“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, tha Osmani.