PL, Blushi: Shumica të tërheqë ligjin për investitorët strategjikë, ligjëron rrëmbimin e pronave publike

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi deklaroi të enjten për mediat se qëllimi i qeverisë për ta kthyer ligjin për investitorët strategjikë nga të përkohshëm, në të përhershëm, është tentativë e pastër për të ligjëruar klientelizmin, korrupsionin dhe rrëmbimin e pronave publike dhe private për llogari të një grup të caktuar oligarkësh.

Sipas tij, Partia e Lirisë e denoncon me forcë nismën e Qeverisë për të shtyrë për herë të tretën ligjin për të ashtë quajturit “investitorët strategjikë”.

“Qëllimi për ta kthyer këtë ligj nga të përkohshëm, në të përhershëm, është tentativë e pastër për të ligjëruar klientelizmin, korrupsionin dhe rrëmbimin e pronave publike dhe private për llogari të një grup të caktuar oligarkësh, bashkëpronarë me Qeverinë në këtë aferë. Ky ligj klientelist, korruptiv dhe anti-pronë që nuk ka bërë gjë tjetër përveç rrëmbimit të tokave publike pa para ose me vlera qesharake 1 euro, përfshi edhe ato private, për t’ua falur klientëve të Edi Ramës me histori suksesi në monopole dhe në krimin e organizuar.”, tha Blushi.

Sipas tij, kjo është kjo arsyeja pse për 8 vjet nga zbatimi i këtij ligji nuk ka asnjë raport monitorimi të institucioneve shtetërore për ndikimin që “strategjikët” e Edi Ramës kanë patur në ekonomi.

Blushi shtoi se nga institucionet e shtetit shqiptar mungon thuajse plotësisht transparenca në lidhje me objektet dhe sektorët, ndikimit që kanë pasur investitorët strategjikë në krijimin e vendeve të reja të punës, në rritjen e nivelit profesional, në ndikimin e ekonomive lokale të vendit, si dhe në rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

“Gjithashtu nuk ka raporte nga Qeveria mbi auditimin e investitorëve strategjikë në lidhje me burimin e financimit të investimeve të tyre, si dhe me gjendjen faktike të punimeve të realizuara nga këta investitorë, të cilët kanë përfituar lehtësira tatimore. Të vetmet raporte janë ato nga sistemi i drejtësisë që bëjnë me dije se më shumë se 2/3 e kontratave të ngjashme të llojit PPP janë nën hetim penal dhe se mbi 95% e investitorëve “strategjikë” janë vendas, shumica të arrestuar si pjesë e elitës së krimit të organizuar shqiptar, pjesa tjetër të afërm të ministrave të Edi Ramës, “gaztorë” të “Rilindjes” dhe klientë të saj pa asnjë përvojë në fushën e investimit të dhënë. Për më tepër ndryshimet e reja zgjerojnë mundësinë e grabitjes dhe zhvatjes të pasurive, pasurive natyrore dhe financiare të vendit për shkak se ndryshe nga ligji aktual, që kërkon vlerë të konsiderueshme investimi dhe punësimi, ky ndryshim i propozuar i hap rrugën edhe investimeve me vlerë 100 euro.”, tha Blushi.

Sipas tij, mjafton të jesh afër me Kryeministrin Rama për të marrë statusin e “strategjikut” në xhep, duke përfituar tokën falas, duke mos paguar detyrime tatimore dhe duke u financuar dhe pastruar paratë e pista.

“Më i rëndë është fakti që për këta investitorë miliarderë dhe “strategjikë” që ndërtojnë pallate, kulla dhe resorte dhe ju falet prona publike me çmim 1 euro, detyrimi tatimor i tyre është 6%. Ndërkohë që bizneset e ndershme paguajnë tatim 15% dhe profesionet e lira do të paguajnë deri në 23%. Dhe po kështu paguhet 20% TVSH për ushqimet e shportës dhe 60% nga xhepi për shëndetin.”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i PL-së.

Blushi deklaroi se Partia e Lirisë bën thirrje për tërheqjen sa më parë nga agjenda parlamentare të vendimit për të shtyrë për herë të tretë ligjin për investitorët strategjikë dhe në vend të kësaj nisme të miratohet në Parlament propozimi i Partisë së Lirisë, i rrëzuar në të kaluarën arbitrarisht me forcën e kartonave të “Rilindjes”, për ta ulur në 5% TVSH e shportës.

“Kjo nismë ligjore, që ne kemi propozuar edhe më herët do t’i jepte frymëmarrje familjeve të thjeshta, do të gjallëronte ekonominë e tyre dhe do të zbuste shumë koston e lartë të jetesës. Nëse Qeveria ka qëllim të thellojë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve duke favorizuar miliarderët dhe pastruesit “strategjikë” të parave të pista, fokusi ynë janë vetëm qytetarët e thjeshtë që vuajnë sot më shumë se kurrë kostot e larta të jetesës”, u shpreh ai.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.