Plaforma e librave në audio drejt finalizimit, akses për fëmijët që nuk shikojnë
![Emiljano Lule, drejtor i Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2025/02/Emiljano-Lule-drejtor-i-Institutit-te-Nxenesve-qe-nuk-Shikojne.jpg?fit=640%2C426&ssl=1)
Platforma e parë e librave në audio është pothuajse gati dhe pritet t’u vijë në ndihmë nxënësve që nuk shikojnë.
Falë një teknologjie ndihmuese të posaçme dhe 44 lexuesve vullnetarë, pasi regjistrohen, librat editohen për tu hedhur ne platformë.
Emiljano Lule, drejtor i Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë sqaron mbi ecurinë.
“Është duke u përzgjedhur kompania e cila do të merret me hartimin e WEB-it. Ka një listë të miratuar nga Ministria e Arsimit, duke qenë se tashmë kemi 44 lexues vullnetarë, kemi libra dhe janë mbi 2 mijë orë të lexuara”, tha Lule.
Me marrjen e statusit si qendër burimore, Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë” suporton nxënës deri ne 18 vjeç, përmes tri shtyllave kryesore.
“Shkollës tonë i takon të përgatisë libra braj, të përgatisë këtë platformë që jemi në ndërtim e sipër me librat audio dhe të trajnojë mësuesit ndihmës atje ku janë të regjistruar këta nxënës”, theksoi Lule.
Lule thotë se në 15 vitet e fundit është ulur numri i personave që nuk shikojnë.
“Shkolla e ka bërë punës e saj, është rritur mirëqenia, edukimi, informimi dhe ndërgjegjësimi. Numri i nxënësve që janë plotësisht të verbër është në ulje. Më shumë ka nxënës që kanë shikim të pjesshëm, që kanë vështirësi me leximin, por që mund të ecin vetë”, shtoi ai.
Masteri dy- vjeçar Pedagogjia e specializuar speciale, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale përgatit mësues që kanë në fokus punën me nxënësit me vështirësi në të nxënë.