Plagosja e 43-vjeçarit në Postribë, policia arreston 3 persona, në kërkim 3 të tjerë
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Postribë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet disa personave, u tentua të vritej me armë zjarri 43-vjeçari Çel Shabaj.
Policia ka arrestuar 3 persona, të afërm me njëri-tjetrin dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë. Këta persona pas një konflikti çasti qëlluan me armë duke plagosur 43-vjeçarin.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 20:40 të datës 13.08.2024, në fshatin Postribë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet disa shtetasve, u plagos me armë zjarri, në këmbë, shtetasi Ç. Sh., 43 vjeç, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, të DVP Shkodër:
vunë në pranga shtetasit K. K., 29 vjeç, A. K., 28 vjeç dhe L. K., 24 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit;
shpallën në kërkim shtetasit Z. K., 28 vjeç, F. L., 25 vjeç dhe A. Rr.,25 vjeç.
Vijojnë kërkimet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijojnë hetimet për të individualizuar përgjegjësinë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast“, thuhet në njoftim.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.