Plagosja me thikë e dy të miturve / Burime jo zyrtare thanë se konflikti ndodhi pas bullizimit mes të miturve
Një konflikt i çastit mes disa adoleshentësh degradoi në përdorimin e armëve të ftohta në Shkodër. Dy adoleshentë të moshave 13 dhe 15 vjeç mbetën të plagosur dhe u dërguan në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Ngjarja ndodhi në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” rreth orës 18:15, të së premtes. Shërbimet e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe pas disa minutash kontrolli në zonë bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar shtetasit me iniciale E. K., rreth 14 vjeç.
Policia njofton se ndaj tij ka nisur procedimi në gjendje të lirë. Ndërkohë 2 shtetasit e mitur, të cilët dyshohet se i dëmtoi me mjet prerës, 14-vjeçari, gjatë konfliktit për motive të dobëta, morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Autori i ngjjarjes pasi u shoqërua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë është marrë në pyetje në prani të psikologut dhe familjarëve nën drejtimin e Prokurorit. Burime jo zyrtare thanë se ngjarja ka ndodhur për shkak të bullizmit mes të miturve .Megjithatë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.