Plagosja në Bërdicë, dyshohet se sherri erdhi për ngacmimin e një vajze
Zbardhen detaje të reja nga plagosja e 17-vjeçarit Amarildo Gjergji, ngjarje e ndodhur në njësinë Bërdicë mbrëmjen e kaluar. Mësohet se adoleshenti ka marrë vetëm një plumb, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sytë e prindërve të 17- vjeçarit, i cili u plagos nga shtetasi Gent Dushku, që vijon të jetë në kërkim nga policia vendore e Shkodrës. Palët kanë patur një sherr edhe më përpara lidhur me ngacmimin e një vajze. Shtetasi Gent Dushku, i cili banon në lagjen “Xhabiej” është dhëndër në Bërdicë. Aty ka nisur një debat me babain e të plagosurit. Ky i fundit ka dalë me një kaçavidë në dorë dhe në ato momente dyshohet se Gent Dushku ka qëlluar me pistoletë djalin 17-vjeçar duke e lënë të plagosur, i cili po ashtu ndodhej jashtë së bashku me babain e tij. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për zbardhjen e kësaj plagosje të ndodhur për motive të dobëta. Efektivët kanë sekuestruar kaçavidën dhe gëzhojën me të cilën qëlloi shtetasi Gent Dushku. Po ashtu policia e Shkodrës është duke zhvilluar kontrolle për gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, i cili vijon që të jetë në kërkim nga uniformat blu.