Plagosja në Mamurras, gjykata lë në burg autorin që plagosi 25-vjeçarin Jurgen Ndreca
Autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të 25-vjeçarit Jurgen Ndreca në Mamurras, do të qëndrojë në burg pa afat. Endri Baçuku, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes, u njoh me masën e sigurisë në gjykatën e Lezhës. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, 21-vjeçari mësohet se ka shfaqur pendesë, duke deklaruar se kishte qëlluar në gjakxehtësi e sipër pas një sherri të çastit.Por, pavarësisht pretendimeve të të riut, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin dhe vendosi ndaj Endri Baçukut masën e sigurisë “Arrest në Burg”, për veprat penale ”Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Ngjarja ndodhi mesditën e 8 marsit në qendër të qytetit të Mamurrasit, ku sherri mes dy të rinjve degjeneroi në përdorimin e armës së zjarrit, ku mbeti i plagosur 25-vjeçari Jurgen Ndreca.25-vjeçari mori një plumb në shpatull dhe u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jeten, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin brenda pak minutash të autorit të ngjarjes si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e pistoletes së përdorur nga ai.