Plagosja në Velipojë, shokët e transportuan 27-vjeçarin në spital dhe u larguan
Një plagosje me armë zjarri ndodhi në aksin Shkodër-Velipojë mbrëmjen e sw martës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45 në vendin e quajtur ura e Gjo Lulit në zonën Mali Kolaj. I plagosur ka mbetur shtetasi Emiljano Paloka 27 vjeç banues në fshatin Pulaj në Velipojës, në zonën e plazhit. Menjëherë 27- vjeçari është dërguar drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës duke iu nënshtruar një operacioni, ndërsa ndodhet në repartin e reanimacionit në një gjendje stabël, por nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se Emiljano Paloka ka marrë një plumb në pjesën e barkut, ndërsa ka pësuar një dëmtim të konsiderueshëm. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas burimeve, 27-vjeçari ndodhej brenda automjetit bashkë me dy shokë të tij dhe plagosja ka ndodhur brenda në makinë, ku është gjetur edhe gëzhoja e armës së zjarrit. Nga hetimet e para dyshohet se plagosja e Emiljano Paloka ka ndodhur padashje nga një prej shokëve të tij në një shkrepje të pavetëdijshme të armës, në lojë e sipër, brenda automjetit. Pas plagosjes menjëherë 27-vjeçari është transportuar drejt spitalit të Shkodrës nga dy shokët e tij me të cilët ndodhej dhe pasi e kanë lënë në urgjencë janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka identifikuar këta dy shtetas dhe po punon për gjetjen e tyre lidhur me këtë ngjarje.