Plagosje me armë në qendër të Shkodrës / Aleksandër Curri qëllohet me 4 plumba, autori u largua me biçikletë
Shkodra u trondit mëngjesin e kësaj të hëne nga nga një ngjarje e rëndë.
Një 40-vjeçar u qëllua 4 herë më armë zjarri në zonën e “Dollarit” në qendër të qytetit. I plagosuri i identifikuar si Aleksandër Curri është qëlluar nga një person ende i paidentifikuar, i cili pasi ka kryer krimin është larguar me biçikletë nga vendi i ngjarjes. I plagosuri, pasi është qëlluar, ka ecur për disa metra dhe më pas është rrëzuar. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë dhe autoambulanca e cila transportoi të plagosurin në spital i cili po merr ndihmën mjekësore dhe sipas bluzave të bardha gjendja e tij është e rëndë. Dëshmitarja okulare e cila i dha edhe ndihmën e parë, tha se ai ishte qëlluar në pjesën e barkut dhe ka qëndruar për 10 minuta në tokë duke kërkuar ndihmë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Ndërkohë, janë ngritur pika të shumta kontrolli. Forcat e Sigurisë Kombëtare po vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar në brendësi të lagjeve të qytetit.