Plakja e popullsisë, sociologia: Duhen politika për të mbështetur ekonomikisht çiftet e reja
Familja si institucion ka pësuar ndryshime ndër vite, ndërsa sipas një studimi të botuar në revistën “National Academy of Sciences”, thuhet se numri i të afërmve që ka një person, do të ulet me më shumë se 35% në të ardhmen e afërt dhe struktura e familjes do të ndryshojë në mënyrë drastike. Pikërisht në lidhje me këtë shqetësim u diskutua në studion e emisionit “Jetë Shqiptare” këtë të premte (19 janar).
Sociologia Matilda Likaj u shpreh se megjithatë ka disa mënyra për të shmangur plakjen e popullsisë, duke vënë theksin te domosdoshmëria për të ndihmuar ekonomikisht çiftet e reja.
“Të gjitha vendet që janë drejtë plakjes së popullsisë ndërmarrin politika sociale për rimëkëmbjen, pro në Shqipëri më shumë i kemi të shkruara apo në praktikë. Nënat që bëhen 30 vjeçe mbase nuk bëhen me dëshirë në këtë moshë, por nëse do bëhen 25 vjeçe ato nuk do kenë mundësi ta mbajnë fëmijë, duhet të punojnë. Nëse nuk ecin paralelisht lehtësimi i jetës te çiftet e reja, atëherë në mënyrë automatike shoqëria do të shkojë drejt plakjes. Bonusi i bebes nuk mjafton për çiftin e ri që të mbijetojë, të jetojë mirë apo të mbajë fëmijën”, u shpreh Likaj.