Plani franko-gjerman, Rama: Kosova po rrezikon të humbasë shansin historik në luftën diplomatike me Serbinë
Tensionet mes Kosovës e Serbisë kanë qenë pjesë e diskutimeve të seancës plenare në Kuvend.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Kosova po rrezikon të humbasë shansin historik që i jep plani franko-gjerman për të bërë progres të jashtëzakonshëm në luftën diplomatike me Serbinë.
Kryeministri tha gjithashtu, se nëse asociacioni bëhet sikurse duhet, Serbia nuk do të lëvizë dot lirshëm mes Brukselit dhe Uashingtonit “duke e nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin me një çmim të paarsyeshëm të një asociacioni komunash i cili i kyçur brenda kornizës kushtetuese të republikës së Kosovës do ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për destabilizim të shtetit të Kosovës”.
“Kosova sot po rrezikon të humbasë shansin historik që i jep plani franko-gjerman për të bërë progres të jashtëzakonshëm në luftën diplomatike me Serbinë sikurse po humbet prej mosbërjes së asociacionit besimin dhe respektin e atyre që e njohën si shtet të pavarur dhe që janë angazhuar ta çojnë drejt njohjes përfundimtare nga të gjithë si një republikë e pavarur e komunitetit të madh të shteteve të OKB-së.
Duke u bërë fakt i kryer asociacioni që justifikohet përditë si të ishte kali i rilindur i Trojës që aleatët strategjikë po duan ta fusin me hile në Prishtinë, do kthehet në një litar në këmbët e Beogradit.
Nëse asociacioni bëhet si duhet në bashkëpunim me aleatët tanë, Serbia nuk do lëvizë dot kaq lirshëm sa ka lëvizur tërë këto kohë mes Bruksel dhe Uashingtonit duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në proceset e dialogut dhe duke e nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin me një çmim të paarsyeshëm të një asociacioni komunash i cili i kyçur Brenda kornizës kushtetuese të republikës së Kosovës do ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për destabilizim të shtetit të Kosovës.
Qasja jonë po dikton ndërtimin e urave me të gjitha vendet e rajonit”, tha Kryeministri nga foltorja e Kuvendit.