Plani i masave të OSSH për sezonin veror, Balluku: Kemi përmirësuar sistemet, vëmendja kryesore në ultësirën perëndimore
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi sot një takim me drejtorët rajonal të OSSH-së, lidhur me planin e masave për furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit veror.
Balluku bëri me dije se janë ngritur task-forca dhe po ashtu është bërë edhe një përmirësim i sistemeve.
Balluku tha se vëmendje kryesore duhet të jetë në ultësirën perëndimore, por theksoi se nuk duhet lënë pas dore edhe zona veriore, ku kërkoi vëmendje më të shtuar me grupet e punës.
“E gjithë pesha e sezonit bie mbi ju në këto momente. Jemi të gjithë në dijeni që fluksi i turistëve ka nisur që në fillim të muajit maj dhe do të përfundojë ndoshta në fund të tetorit. Janë ngritur task-forca, por OSSH luan një rol shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e këtij sezoni. Ne kemi bërë edhe një përmirësim të sistemeve tona, vëmendja kryesore qëndron në ultësirën perëndimore si zona me dendësinë më të madhe të hoteleve dhe njësive tregtare që i shërbejnë turizmit, por nuk duhet lënë pas dore edhe fakti që njësi hoteleria ka edhe në zonën veriore. Atje duhet vëmendje më e shtuar me grupet e punës dhe grupet e gatshme në terren. Qeveria po përgatit një ligj të veçantë që do t’i dedikohet investimeve në zonat veriore që ka për synim edhe përthithjen dhe kthimin e emigrantëve që duan të vijnë dhe të vlerësojnë pronën që kanë dhe detyra e parë që do të lindi menjëherë është forcimi i rrjetit”, tha Balluku.