Plani i Motivimit të Administratës Publike, Rama: Fleksibilitet në orarin e punës, kryesore mirëqenia e punonjësve
Është prezantuar këtë të mërkurë (29 maj) Plani i Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit shqiptar në shërbim të interesave të vendit e të qytetarëve.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se në plan të parë do të jetë mirëqenia e punonjësve në administratën publike, duke e vënë theksin te nevoja për fleksibilitet në orarin e punës.
“Është e panevojshme që të jetë kjo ngarkesë, duke patur parasysh edhe nënat e reja që kanë fëmijë, mund të ketë edhe shkëputje për të shkuar për t’u kujdesur për fëmijët, për prindërit e moshuar për vjehrrit. Mirëqenia shpirtërore, psikologjike e punonjësve, sidomos në administratën publike është e dorës së parë. Shumëkush akoma jeton me idenë e krijuar të në administrate që është një çerdhe njerëzish që gjithë ditën lëvizin lekë nga njëri xhep te tjetri, që punojnë si të vjedhin etj., që është një perceptim i ngritur në mënyrë sistematike dhe natyrisht pastaj ilustrohet me shembuj të caktuar keqbërësish në administratë që po ekspozohen nga drejtësia. Fakti që sot publiku ballafaqohet me më shumë raste që i sheh, nuk tregon që korrupsioni është rritur, por që po luftohet seriozisht. Por është e padrejtë që për shkak të një pjesë të njerëzve të shikohet e gjithë masa e madhe e atyre që punojnë si e njollosur”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe rritjen e pagave, teksa tha se do të hyjë në fuqi në qershor. Paga mesatare në sektorin publik do të jetë 900 euro.
“Në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe të gjithë do kenë një rritje në pagën e tyre dhe arrijnë objektivin që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që kemi dhe paga e radhës do jetë paga e rritur dhe është një rritje shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, nga vjet në sivjet janë 400 mln në total që janë vendosur për kapitalin njerëzor. Nuk është një rritje që ne e shikojmë si fundin e procesit, por është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe”, u shpreh kryeministri.