“Plani i Rritjes”, Kosova e Serbia nuk përfitojnë nëse nuk përparojnë në dialog
Nëse nuk ka përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, as Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga Plani i Rritjes së Komisionit Evropian, të cilin ky institucion e miratoi për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Bëhet fjalë për pakon e madhe financiare në shumë nga 6 miliardë euro për periudhën 2024–2027.
Mirëpo për të përfituar nga këto mjete, të gjitha vendet e rajonit duhet të respektojnë, siç thuhet, mekanizmat efektivë demokratikë, përfshirë këtu sistemin parlamentar shumëpartiak, sundimin e ligjit, si dhe të drejtat e njeriut, përfshirë ato të minoriteteve.
Për dallim nga shtete tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova e Serbia kanë edhe një kriter shtesë:
“Një parakusht tjetër do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar dhe të angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve,” precizohet në Planin e Rritjes të KE-së.
Sipas pohimeve të zyrtarëve në Bruksel, asnjëri vend nuk do të përfitojë nga fondet përderisa nuk ka përparim në dialog.
Ndryshe në kuadër të shumës nga 6 miliardë euro sa janë ndarë sipas Planit të Rritjes, deri në 2 miliardë euro planifikohet të shkojnë në formë të asistencës pa kthim, ndërsa 4 miliardë tjera, në kredi të favorshme dhe investime kapitale. /RTK