Plani Kombëtar i Veprimit, Manastirliu: Fletorja Digjitale, informacion në kohë reale për prindërit

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, në një takim me mësues, psikologë, punonjës socialë, oficerë sigurie, përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Prindërve dhe të shoqërisë civile, ka prezantuar Fletoren e Komunikimit Digjital, një instrument i cili do t’i shërbejë përmirësimit të komunikimit, forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes shkollës dhe prindërve, e cila aksesohet nga mësuesit, punonjësit e shërbimit psikosocial, nga oficerët e sigurisë dhe nga prindërit për informimin në kohë reale, përmes SMIP dhe e-Albania.
Manastirliu tha se Plani Kombëtar i Veprimit është hartuar së bashku me komunitetin e mësuesve, prindërve, shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë duke theksuar rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm mes aktorëve kyç në shkolla.
“Planin Kombëtar të Veprimit e hartuam së bashku me komunitetin e mësuesve, të prindërve, të shoqërisë civile dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Kemi ndërtuar tashmë brenda sistemit SMIP një dritare të veçantë që është Fletorja e Komunikimit Digjital, një hap përpara sa i përket informacionit të sigurt, informacionit në kohë reale, jo vetëm nga mësuesi, por edhe nga punonjësi social, psikologu, oficeri i sigurisë në shkolla, që përmes një sistemi të informacionit të digjitalizuar, që tashmë çdo prind e ka përmes e-Albania dhe përmes aplikacionit SMIP, të mundet që të marrë informacion edhe për sjelljen e fëmijës, edhe për talentet, edhe për prirjet, por edhe për problematika që mund të shfaqen në çdo moment dhe për të cilat prindi duhet të jetë i informuar”, tha ministrja.
Duke folur mbi forcimin e mekanizmave të sigurisë në shkollat tona, Manastirliu tha se do të rritet numri i oficerëve të sigurisë, psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla:
“Oficeri i sigurisë do të ketë një instrument më shumë për të komunikuar me prindin në kohë reale në rastin e konstatimit të një incidenti apo problematike në shkollë. Punonjësit socialë dhe psikologët do të monitorojnë çdo sjellje që mund të sjellë pasoja në të ardhmen, duke ndërtuar një sistem të raportimit dhe vlerësimit periodik përmes SMIP. Duke filluar nga viti i ardhshëm akademik do të kemi më shumë se 100 oficerë sigurie që i shtohen shkollave tona, duke garantuar që edhe në shkollat me mbi 900 nxënës të kemi 2 oficerë sigurie. Po ashtu, do të rrisim numrin e punonjësve socialë dhe psikologëve për të ofruar mbështetje psiko-emocionale në kohë reale. Ndërkohë, po bashkëpunojmë me Ministrinë e Brendshme për vendosjen e kamerave inteligjente në shkolla, si një mekanizëm më shumë për sigurinë e nxënësve.”, u shpreh ajo.
Ministrja Manastirliu u ndal edhe te rrjeti kombëtar për mbrojtjen dhe sigurinë online që është një rrjet i cili do të prekë dhe do mbulojë të gjitha shkollat e vendit përmes ambasadorëve të sigurisë online, përmes të gjithë platformës së trajnimeve të mësuesit për edukimin digjital por edhe përmes një roli të ri në shkolla që është specialisti i edukimit digjital, i cili orienton nxënësit por edhe mësuesit se ku të aksesojnë online dhe cilat do të jenë faqet online të cilat vërtet japin informacione të vlefshme dhe të sigurta. “Ky rol në shkollë jemi të bindur që do të orientojë shumë edhe mënyrën sesi ne i qasemi të gjithë platformave digjitale por edhe mënyrës së re te edukimit në shkolla.”, shtoi Ministrja Manstirliu.
Fletorja e Komunikimit Digjital është pjesë e Planit Kombëtar të Veprimit që ka nisur të zbatohet në të gjitha shkollat dhe që ka për qëllim fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkolla për të garantuar një ambient gjithëpërfshirës, të shëndetshëm dhe të sigurt për fëmijët tanë në çdo institucion arsimor.