Plani strategjik 2025-2030, Spiropali: Synojmë Kuvend me standardet e një vendi anëtar të BE-së

Plani strategjik

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi të premten një analizë pune për shqyrtimin e draftit të Planit Strategjik dhe të Veprimit të Kuvendit për periudhën 2025-2030. Në këtë takim morën pjesë, stafi drejtues i Kuvendit dhe përfaqësues të lartë të Prezencës së OSBE në Shqipëri, që po asistojnë me ekspertizë procesin.

Gjithashtu, në takim mori pjesë edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila theksoi faktin se qasja strategjike e Kuvendit të Shqipërisë, synon arritjen e standardeve të një parlamenti të një vendi anëtar të BE-së.

Spiropali nënvizoi faktin se objektivat strategjikë të Kuvendit do të fokusohen në: Fuqizimin e lidershipit dhe rritjes së kontributit për objektivin strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, mbështetjen e pakursyer për reformat integruese e demokratizuese; fuqizimit të partneritetit dhe bashkëpunimit me institucionet e pavarura; modernizimin e shërbimeve parlamentare dhe rritjen e transparencës për publikun.

Nga ana tjetër, Clarisse Pasztory, zëvendësambasadore e Prezencës së OSBE në Shqipëri nënvizoi punën e mirë të bërë nga Kuvendi në rritjen e transparencës edhe ne kuadër të bashkëpunimit të mirë të deritanishëm, theksoi rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës konsultimi me të gjitha palët dhe grupet e interesit gjatë hartimit të planit të ri strategjik 2025-2030, si dhe konfirmoi mbështetjen edhe në të ardhmen të OSCE Presence in Albania për Kuvendin e Shqipërisë si një partner afatgjatë.

Hartimi i Planit Strategjik 2025-2030, vjen në vijim të planit të parë strategjik 2020-2025, i cili shërbeu si një dokument shumë i rëndësishëm udhërrëfyes për rritjen e transparencës ndaj publikut, besueshmërisë së institucionit, kontrollit parlamentar postlegjislativ, rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit të vendit, etj.

Sipas Kuvendit, Plani i ri Strategjik do të mbështetet në shtatë fusha prioritare që lidhen me: rritjen e efektivitetit në ushtrimin e funksioneve ligjvënës; rritjen e llogaridhënies publike të ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura; rritjen e efektivitetit në ushtrimin e funksionit zgjedhës; forcimin e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit europian; forcimin e rolit të Kuvendit në diplomacinë parlamentare; rritjen e transparencës, pjesëmarrjes dhe edukimit qytetar në veprimtarinë parlamentare; përmirësimin e kuadrit rregullator, forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale.

Drafti i Planit të ri Strategjik do t’i nënshtrohet në vijim procesit të konsultimit me partnerë të ndryshëm, duke përfshirë median dhe grupet e interesit. 

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.