Plastika ndot kanalin vaditës, banorët: I shërben pothuajse të gjitha tokave bujqësore të Nënshkodrës
Hedhja e mbeturinave në vende të papërshtatshme vijon që të jetë një problem në njësitë administrative të Bashkisë së Shkodrës. Përveçse në pjesë të ndryshme të rrugëve, mbeturinat i gjen të hedhura edhe në kanalet kulluese dhe ato vaditëse. Ky fenomen është prezent në kanalin e Mjedës, i cili ka një rëndësi të madhe , sepse funksioni i tij është ujitja e pothuajse të gjitha tokave bujqësore të Nënshkodrës.
Kanali i Mjedës nis që në fshatin Mjedë të Bashkisë Vau Dejës dhe përshkon fshatin Stajkë, disa fshatra të tjerë e po ashtu edhe zonën e Hajmelit, shkon deri në kufijtë e qytetit të Lezhës. Ndotja e tij ka ndikuar edhe në mungesën e ujitjes të dhjetra hektarëve sipërfaqe të tokave bujqësore.
Bashkia Vau Dejës thotë se kanali i Mjedës është i nivelit të parë dhe nuk administrohet nga pushteti vendor, por nga Bordi i Kullimit në Lezhë. Në realitet është ndërhyrë disa herë në pastrimin e këtij kanali dhe janë banorët, të cilët mesa duket nuk janë ndërgjegjësuar siç duhet duke shkaktuar ndotjen e mjedisit përreth. Për të mos mjaftuar dëmi mjedisor nuk mbetet vetëm për tokat bujqësore, sepse mbeturinat e atij kanali përfundojnë edhe në lumin Drin duke qenë se ka një dalje në këtë lum.