Plumbi në lodra e bojëra i ndaluar, OBSH kërkon eliminimin me ligj në materialet e ndërtimit
OBSH vlerëson se helmimi nga plumbi shkakton çdo vit 143 mijë vdekje në mbarë botën dhe se bojërat që përdoren për lyerjen e mureve të brendshme të shtëpisë dhe fasadave të jashtme të godinave janë ndër kontribuesit kryesor.
“Më shqetësuese që ne kemi janë bojërat që lyejmë shtëpitë dhe bojërat në lodrat e fëmijëve. Rrugët e marrjes së plumbit janë nga goja dhe fëmijët I fusin shpesh lodrat në gojë, dhe përmes rrugëve të frymëmarrjes, ku boja në mure pas thërrmimit në copa apo cifla formon pluhur që më pas përthithet përmes frymëmarrjes. Plumbi po hyri në organizëm nuk del më. Ai depozitohet aty dhe qëndron e vazhdon të bëjë dëme aty sa kohë të jetë.
Shkakton sëmundje të ndryshme. Dëmton sistemin nervor, sistemin renal të veshkave dhe tek fëmijët shkakton prapambetje mendore duke ndikuar fort në intelektin e tyre. E si rezultat kërkohet eliminimi dhe jo ulja e sasisë së ekspozimit. Pra duhet të bëhet zero“, tha doktor Ilir Alimemeti.
Dokumenti ligjor që kufizon përdorimin e plumbit është 20 vite i vjetër dhe lejon praninë e plumbit në sasi të caktuara por duke vendosur shënime mbi kuti si : “Kujdes mbani larg fëmijët!“
“Por a mjafton kaq që në të mos ekspozohemi? Pra do të thotë që të gjitha bojërat që janë përdorur potencialisht mund të kenë në përmbajtje dhe vazhdojnë të kenë plumb sepse ka vetëm një tabelë që shkruan kujdes. Kjo nuk është e mjaftueshme . Kjo na bën ne të ekspozuar sepse askush nga ne nuk sheh përmbajtjen e kutisë së bojës. Duhet një orë e më parë të bllokohet prania e plumbit në materialet e ndërtimit me akte nënligjore”, tha doktori.
OBSH përgjatë një jave këshilloi vendet të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit në punë, të fëmijëve dhe grave në moshë riprodhuese duke aprovuar legjislacione eliminuese të përdorimit të plumbit.