Po dërgonin ushqime në Gaza, vriten në sulmin izraelit shtatë punonjësit e World Central Kitchen
Shtatë punonjës të World Central Kitchen, grupit jofitimprurës që ofron ushqime për rajonet apo komunitetet e goditura nga fatkeqësia, janë vrarë në Gaza në një sulm ushtarak izraelit.
Australia konfirmoi se një nga shtetasit e saj ishte në mesin e të vrarëve.
World Central Kitchen është një nga të paktat organizata ndihmash që shpërndajnë ushqime të nevojshme në Gaza, ku 2.2 milionë njerëz po përballen me mungesë ushqimi.
Themeluesi i World Central Kitchen, José Andrés, konfirmoi shtatë vdekjet, ndërsa janë gjetur dhe pashaportat e tyre që u përkasin vendeve nga Britania, Polonia e Austria.
“Sot @WCKitchen humbi disa nga motrat dhe vëllezërit tanë në një sulm ajror të IDF në Gaza. Unë jam i thyer dhe i pikëlluar për familjet dhe miqtë e tyre dhe gjithë familjen tonë të WCK. Qeveria izraelite duhet të ndalojë këtë vrasje pa dallim. Ajo duhet të ndalojë kufizimin e ndihmës humanitare, të ndalojë vrasjen e civilëve dhe punonjësve të ndihmës dhe të ndalojë përdorimin e ushqimit si armë. Këta janë njerëz… engjëj… kam shërbyer së bashku në Ukrainë, Gaza, Turqi, Marok, Bahamas, Indonezi. Ata nuk janë pa fytyrë… ata nuk janë pa emër”, shkroi Andrés në X.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se po kryen një rishikim të plotë në nivelet më të larta për të kuptuar rrethanat e këtij incidenti tragjik.
Kryeministri australian Anthony Albanese teksa identifikoi viktimën australiane, dënoi ngjarjen duke e konsideruar plotësisht të papranueshme.
“Ky është dikush që doli vullnetar në Australi për të ndihmuar njerëzit gjatë zjarreve. Ky është dikush që ishte vullnetar jashtë shtetit për të ofruar ndihmë përmes kësaj bamirësie për njerëzit që po vuajnë një privim të jashtëzakonshëm në Gaza. Australia pret përgjegjësi të plotë për vdekjet e punonjësve të ndihmës, gjë që është plotësisht e papranueshme”, tha Albanese.
Ai tha se qeveria australiane tashmë ka kontaktuar drejtpërdrejt me qeverinë izraelite dhe se Departamenti i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë kishte kërkuar një “thirrje” nga ambasadori izraelit në Australi.
Hamasi dënoi sulmin duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar dhe Kombeve të Bashkuara që të “marrin masa”.