Podkast/ Balerini i famshëm shqiptar tregon udhëtimin e vështirë: Në lagje më tallnin se vishja geta
Sot gëzon një famë ndërkombëtare si koreograf, por për shqiptarin Angjelin Preljocaj rruga për t’u bërë balerin nuk ka qenë e thjeshtë.
I ftuari i episodit të tretë të sezonit të dytë të podkastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, artisti franko-shqiptar, balerini dhe koreografi Angjelin Preljocaj ka rrëfyer të gjithë rrugëtimin e tij, duke nisur me largimin nga Vermoshi. Kur prindërit e tij morën rrugën e emigrimit, ai ishte ende në barkun e nënës dhe lindi dy javë më pas në Francë.
Për t’u bërë balerin, atij iu desh të “luftonte” me kundërshtinë e prindërve, por edhe me talljet e fëmijëve sepse vishte geta. Por, siç thekson Angjelini, mjedisi kundërshtar ta përforcon akoma më shumë dëshirën.
“Është pak për të qeshur. Unë e kam mbrojtur idenë që dua të kërcej para babait dhe mamasë time. Mamaja ishte pak e pavendosur, ajo punonte në uzinë dhe pyeti atje: djali im do të bëhet kërcimtar. Si mendoni? Dhe dëgjoi atje gjëra vërtetë të tmerrshme, pra rrëshqiti edhe ajo në kampin e babait. Por ishin edhe djemtë dhe vajzat e lagjes periferike ku jetoja, sepse prindërit e mi ishin të varfër, nuk jetonim në lagje rezidenciale, dhe atje sigurisht hip-popi nuk ekzistonte, ky kërcim urban, që është mashkullor, që është më i afirmuar, që është edhe moda, epoka e hip-popit. Dhe për djemtë e vajzat e lagjes sime, vallëzimi do të thoshte ky djali ka vesh geta dhe bën ca gjëra të çuditshme. Dhe ata talleshin me mua. Kështu që mu desh të luftoja dhe të afirmohesha. Mendoj se mjedisi kundërshtar ndonjëherë ta përforcon akoma më shumë dëshirën. Mendoj se sikur të ishin dakord të gjithë, ndoshta do të isha marrë me gjë tjetër”, u shpreh ai.