Podolski “paralajmëron” Bajernin: Gallata më e mirë e 10-15 viteve të fundit
Ndeshja mes Gallatasarajit dhe Bajernit të Mynihut do të jetë e para e takimeve të treta të vlefshme për fazën në grupe të Champions League. Dueli mes ekipit turk dhe atij gjerman pritet me mjaft interes pasi këtë herë vendasit nuk futen me statusin e “viktimës të sakrifikuar”.
Ecuria e ekipit turk në këtë edicion ka qenë shumë e mirë. Në ndeshjen e parë në Champions, Gallata arriti që të merrte një pikë në Turqi përballë Kopenhagenit edhe pse ishte në dizavantazh të dy golave. Ndërkohë që në takimin e dytë bëri surprizën e madhe duke mposhtur Junajtidin në Mançester (3-2).
Nesër në Turqi udhëton Bajerni, i cili është paralajmëruar nga një “ish”, i cili ka luajtur për të dy klubet. “Do të jetë një ndeshje shumë emocionuese. Gallatasaraji ka një mbështetje të madhe në stadiumin e vet pasi të gjithë tifozët shkojnë për ta mbështetur. Në këtë moment shikoj shumë entuziazëm në atë grup pasi edhe rrezultatet janë mjaft të mira. E them pa frikë se ky ekip është më i miri i 10-15 viteve të fundit”, tha Podolski.