Polemikat për ceremoninë hapëse të “Paris 2024”, organizatorët kërkojnë falje për skenat fyese
Organizatorët e Lojërave Olimpike të Parisit kërkuan falje për çdo fyerje të shkaktuar nga një skenë në ceremoninë e hapjes së lojërave të premten, ku shfaqja e një grupi artistësh u pa nga shumë kritikë si një parodi e kryeveprës së famshme të Leonardo Da Vinçit “Darka e fundit”.
Megjithëse organizatorët thanë se skena ishte një “interpretim i Zotit grek të verës dhe festës Dionisit”, ngjashmëritë vizuale me “Darkën e fundit” u vunë re menjëherë dhe u kritikuan nga ata që thanë se ishte një përshkrim fyes i skenës klasike biblike, e cila përshkruan Jezusin dhe 12 apostujt.
Kisha Katolike në Francë, e cila ishte mes kritikëve, tha se ceremonia e Lojërave Olimpike përmbante skena talljeje me krishterimin.
Drejtori artistik i ceremonisë, Thomas Jolly, tha se nuk kishte qëllim të tallte apo denigronte askënd, ndërsa shpjegoi se skena në fjalë ishte krijuar për t’iu referuar perëndive pagane greke. “Nuk do të gjendet kurrë në punën time dëshirë për të tallur apo denigruar dikë. Doja një ceremoni që bashkon njerëzit, por edhe që afirmon vlerat tona të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.”- u tha Jolly mediave franceze.
“Është e qartë se nuk ka pasur kurrë një qëllim për të treguar mungesë respekti ndaj ndonjë grupi fetar,” u tha gazetarëve zëdhënësja e “Paris 2024” Anne Descamps.
“Përkundrazi, unë mendoj se Thomas Jolly u përpoq të festonte tolerancën e komunitetit. Ne besojmë se kjo ambicie u arrit. Shprehim keqardhje nëse dikush është fyer,” u shpreh ajo.