Policia e Kosovës arreston 69-vjeçarin serb, dyshohet për krime lufte ndaj shqip…
Policia e Kosovës arreston 69-vjeçarin serb, dyshohet për krime lufte ndaj shqiptarëve
Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), kanë arritur që sot, më 05.08.2023, rreth orës 12:30, në fshatin Lubozhdë të komunës së Istogut të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin Ž.Z., viti i lindjes 1954, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut”, njofton Policia e Kosovës.
Sipas policisë së Kosovës, bëhet e ditur se gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1998-1999, i dyshuari ka mbajtur detyrën e komandantit të Nën Stacionit Policor në fshatin Rakosh të Komunës Istogut.
Më tej policia thekson se i personi i arrestuar është dërguar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës (DhKL) ku pritet të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës.