Policia e Kosovës sekuestron armë në veri, shpallen në kërkim dy të dyshuar
Policia e Kosovës gjatë një aksion në Mitrovicën e Veriut ka sekuestruar sërish armë, dhe ka shpallur në kërkim dy të dyshuarit.
Në një komunikim për median, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani ka bërë të ditur se gjatë bastisjes në një shtëpi, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisjesh ushtarake.
Armët e sekuestruar janë: 1 armë zjarri AK-47, 2 granata dore M-75, 2 radiolidhje, 2 antiplumba, kapelë dhe dorëza, çantë ushtarake, karikatorë të zbrazët dhe të mbushur me fishekë të pistoletës, harta, rrip brezi, spraj dhe thikë, shall kamuflazhi.
Policia njoftoi më tej se dy persona të dyshuar, me inicialet A.J., i lindur në vitin 1992, dhe V.J., i lindur në vitin 1978, nuk u gjetën në shtëpi gjatë bastisjes dhe janë shpallur në kërkim nga policia.
Operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe armët ilegale në veri të vendit, ndërkaq hetimet mbi këtë rast janë në vazhdim.
E pas aksionit ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka përshëndetur aksionin në veri të vendit, ku u sekuestruan armë dhe pajisje për trazira si dhe pajisje për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave.
Sipas ministrit, ky operacion është një dëshmi e mëtejshme se lista e kriminelëve dhe terroristëve që gjejnë strehim në Serbi po zgjerohet.
“Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira dhe të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona. Ky është një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi”, tha Sveçla.
Ai theksoi se lufta kundër terrorizmit po vazhdon pa ndërprerje dhe se Kosova nuk do të lejojë që territori i saj të bëhet strehë për kriminelët.
“Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve dhe terroristëve që cenojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona,” shkroi ministri në një postim në Facebook.