Policia e Shtetit hap aplikimet për 400 pozicione në strukturat vendore
Policia e Shtetit hapi aplikimet për 400 pozicione të rolit bazë në strukturat e saj vendore.
Policia e Shtetit njofton se nisur nga nevoja për plotësimin e funksioneve organike në rolin bazë në strukturat e Policisë e Shtetit, nëpërmjet një procesi konkurrimi të drejtë, të paanshëm, transparent, si dhe sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës, hapen aplikimet për pranim në Policinë e Shtetit, për 400 funksione të rolit bazë, të ndara sipas strukturave policore në nivel vendor.
Sipas policisë, në numrin e kuotave për konkurrim, 50% e kuotave do të jenë për shtetaset femra të cilat pas përfundimit me sukses të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, do të emërohen në strukturat e Kufirit dhe Migracionit.
Aplikantët që kalojnë me sukses të gjitha fazat do të trajnohen për një periudhë 9-mujore në Kolegjin Profesional të Formimit Policor. Pas përfundimit të trajnimit, do të emërohen në strukturat policore përkatëse.