Policia franceze arreston një shtetas rus të dyshuar për komplot për ‘destabilizimin’ e Lojërave Olimpike
Autoritetet franceze kanë arrestuar një shtetas rus i cili dyshohet se kishte si objektiv Lojërat Olimpiket të Parisit. Franca ka qenë në gatishmëri të lartë gjatë javëve të fundit ndërsa përgatitjet për Lojërat Olimpike janë në fazën përfundimtare. Lojërat nisin zyrtarisht të premten në lumin Seine me një ceremoni madhështore dhe masa të rrepta sigurie.
Ndaj të dyshuarit janë ngritur akuza se punonte për shërbimet e zbulimit të një shteti të huaj me qëllim provokimin e trazirave në Francë, krime që mund të dënohen deri 30 vjet burg, sipas një deklarate nga zyra e prokurorit të Parisit.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Paris, organet e rendit gjetën sende që “ngjallën frikën e qëllimit të tij për të organizuar ngjarje që mund të çonin në destabilizimin e Lojërave Olimpike”, thanë prokurorët.
Organizatorët e Lojërave Olimpike po përballen me sfida të mëdha sigurie, përfshirë shqetësimet e sulmeve kibernetike, mes tensioneve të larta ndërkombëtare për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe konfliktit Izrael-Hamas në Gazë.
Rreth 35,000 punonjës të rendit do të jenë në rrugët e kryeqytetit francez gjatë Lojërave Olimpike me rreth 45,000 punonjës të sigurisë gjatë ceremonisë së hapjes.
Rreth 40 vende po ndihmojnë Francën gjatë këtij sezoni duke dërguar të paktën 1900 punonjës rendi.